Secondary Adv

Emigracioni në Ballkan, Shqipëria dhe Kosova me largimet më të larta

Banka Botërore paralajmëron se emigracioni po kthehet në një nga pengesat kryesore për rritjen ekonomike dhe stabilitetin demografik në Ballkanin Perëndimor.

Shqipëria kryeson rajonin për emigracionin neto

Flukset e emigracionit vijojnë të mbeten një nga sfidat më të mëdha për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Në raportin më të fundit ekonomik rajonal, Banka Botërore evidenton se vendet e rajonit po përballen me largim të vazhdueshëm të forcës punëtore, duke krijuar mungesa në tregun e punës dhe presion mbi sistemet sociale.

 

Sipas raportit, Shqipëria mbetet vendi më i prekur nga emigracioni neto, me rreth 24.2 mijë persona më shumë që largohen sesa kthehen, si në vitin 2024 ashtu edhe në vitin 2025. Banka Botërore vlerëson se vendi po përjeton një hemorragji të vazhdueshme demografike, fenomen që është përshpejtuar pas pandemisë.

 

Arsyet kryesore të largimit lidhen me kërkesën për paga më të larta, kushte më të mira jetese dhe mundësi më të mëdha profesionale në vendet e Bashkimit Europian, sidomos për të rinjtë dhe profesionistët e kualifikuar. Raporti thekson se politikat e ndjekura deri tani nuk kanë arritur të frenojnë fenomenin, ndërsa emigracioni po shndërrohet në një rrezik serioz për tregun e punës dhe qëndrueshmërinë e skemave sociale dhe të pensioneve.

 

Kosova shënon ngadalësim të largimeve

Kosova renditet e dyta në rajon për emigracionin neto, megjithëse raporti evidenton një përmirësim të lehtë gjatë vitit 2025. Sipas Bankës Botërore, emigracioni neto në Kosovë ra nga 22 mijë persona në vitin 2024 në 18.5 mijë persona në vitin 2025.

 

Ky ndryshim lidhet me stabilizimin gradual pas liberalizimit të vizave, proces që fillimisht solli një rritje të largimeve, por që më pas nisi të ngadalësohej. Megjithatë, raporti vlerëson se presioni për emigrim mbetet i lartë për shkak të papunësisë, veçanërisht te të rinjtë.

 

Serbia ka largimet më të ulëta në raport me popullsinë

Serbia regjistroi rritje të emigracionit neto nga 8.200 persona në vitin 2024 në 13.100 persona në vitin 2025. Megjithatë, për shkak të popullsisë më të madhe, Serbia mbetet vendi me nivelin më të ulët të emigracionit neto në raport me numrin e banorëve. 

 

Banka Botërore lidh rritjen e largimeve me pasigurinë politike dhe pakënaqësitë në rritje ndaj qeverisjes, pavarësisht nivelit të lartë të investimeve të huaja. Sipas raportit, emigracioni në Serbi lidhet gjithnjë e më shumë me kërkesën për më shumë liri politike dhe kushte më të mira jetese.

 

Bosnja dhe Mali i Zi me përkeqësim të situatës

Bosnja dhe Hercegovina regjistroi rritje të emigracionit neto nga 4.600 persona në vitin 2024 në 7.100 persona në vitin 2025. Raporti thekson se ngërçi politik dhe mungesa e perspektivës për integrim të shpejtë europian po shtyjnë qytetarët drejt vendeve si Gjermania dhe Austria.

 

Ndërkohë, Mali i Zi shënoi rritjen më të fortë të largimeve në rajon, duke kaluar nga 1.800 persona në vitin 2024 në 9.300 persona në vitin 2025. Sipas analizës, faktorët kryesorë lidhen me rritjen e kostos së jetesës dhe paqëndrueshmërinë në sektorin e turizmit, që mbetet baza kryesore e ekonomisë së vendit.

 

Maqedonia e Veriut ruan stabilitet relativ

Maqedonia e Veriut ishte një nga vendet e pakta që shfaqi stabilitet relativ në emigracion. Largimet neto ranë lehtë nga 5.900 persona në vitin 2024 në 5.700 persona në vitin 2025. Sipas Bankës Botërore, kjo lidhet me përpjekjet për reforma strukturore dhe përmirësime graduale në tregun e punës, megjithëse korrupsioni dhe pagat e ulëta vazhdojnë të mbeten faktorë që nxisin emigracionin.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat